Akidja e Selefëve
Ismail ibën Abdurrahman es-Sabuni

Teksti i librit


Teksti i librit.

بسم الله الرحمن الرحيم

O Zot! Lehtëso dhe ndihmo me Mirësinë dhe Mëshirën Tënde!

Zinxhiri i transmetuesëve të librit

 Autori thotë:  Na ka treguar kryegjykatësi i Damaskut, Nidhamudin Umer ibën Ibrahim ibën Muhamed Muflih es Salihi el Hanbeli, gojarisht: Na ka treguar hafiz Ebu Abdullah Muhamed ibën Abdullah ibën Ahmed ibën Muhib el Makdisi: Na kanë treguar dy dijetarët, Xhemaludin Abdurrahman ibën Ahmed ibën Umer ibën Sheker dhe Ebu Abdullah Muhamed ibën Muhib Abdullah ibën Ahmed ibën Muhamed, që të dy nga Makdisi.

- I pari thotë: Na ka treguar Ismail ibën Ahmed ibën el Husejn ibën Muhamed el Iraki dhe ne dëgjonim: Na ka treguar Ebu Fet’h Abdullah ibën Ahmed el Harki.

- Ndërsa i dyti thotë: Na ka treguar Ahmed ibën Abdu ed Daim.

Na ka treguar gjithashtu Taxhudin Muhamed ibën Hafidh Imadudin Ismail ibën Muhamed ibën Berdes el Ba’li.

Dhe na ka treguar kryegjykatësi Izuddin Abdurrahim ibën Muhamed ibën el Furat el Hanefi, gojarisht: Na ka treguar Muhamed ibën Halife ibën Muhamed ibën Khalef el Munebxhi: Na ka treguar Xhemal Abdurrahman ibën Ahmed ibën Umer ibën Sheker se autori (es Sabuni) ka thënë:

Shkaku i shkruajtjes së librit [1]

 “Falenderimi i takon vetëm Allahut, Zotit të botëve dhe përfundimi i mirë qoftë për besimtarët e devotshëm, ndërsa Mëshira dhe bekimi i Allahut qofshin mbi vulën e Profetëve, familjen dhe të gjithë shokët e tij.

Në kohën kur hyra në Amid të Tarbistanit (vend ne Iran, në jug të detit Kaspik) dhe në vendet e Xhilanit, në drejtim të Shtëpisë së Shenjtë (Kabes), si dhe për të vizituar varrin e të Dërguarit të Allahut [2] (sal-lAllahu alejhi ve selem), disa vëllezër në Fe më kërkuan që t’u mbledh disa tema në bazat e Fesë, pas të cilave janë kapur ata që kanë kaluar prej imamëve të mëdhenj, dijetarëve të muslimanëve dhe selefëve të mirë. Ato baza me të cilat u udhëzuan dhe thirrën njerëzit në çdo kohë, si dhe gjërat që i kundërshtojnë dhe i mohojnë këto baza, prej të cilave u larguan të gjithë besimtarët e sinqertë e të devotshëm. 

Baza, në rrugën e të cilave ata lidhnin miqësi dhe shpallnin urrejtje, quanin bidatçi dhe e nxirrnin nga Feja këdo që besonte diçka tjetër përveç atyre. [3]

Atëherë unë iu mbështeta Allahut të Lartësuar dhe shkrova në këtë libër atë që munda, në mënyrë të shkurtuar e të përmbledhur, duke shpresuar që të përfitojnë prej tij të zotët e mendjes e të shikimit.

Allahu është Ai që jep sukses dhe vendosmëria në Rrugën e Drejtë e të Saktë nuk arrihet vetëm se me mirësinë e Allahut dhe Mëshirën e Tij!

Pohimi i Cilësive të Allahut të Lartësuar.

 Duke shpresuar suksesin nga Allahu i Lartësuar them: Dijetarët e Hadithit [4] (Allahu i ruajtë të gjallët dhe i mëshiroftë të vdekurit prej tyre!) dëshmojnë se Allahu i Lartësuar është Një dhe se Muhamedi është Lajmëtar dhe i Dërguar i (sal-lAllahu alejhi ve selem) (nebij dhe resul). Ata e njohin Zotin e tyre me ato cilësi të cilat janë shprehur në Shpalljen dhe Librin e Tij, apo për të cilat ka dëshmuar i Dërguari i Tij (sal-lAllahu alejhi ve selem), në Hadithet e sakta që na janë përcjellë prej njerëzve të drejtë e të besueshëm nga ai (sal-lAllahu alejhi ve selem!).

Ata pohojnë për Allahun e Lartësuar çdo gjë që Ai e ka pohuar për Veten e Tij, në Librin e Tij apo në gjuhën e të Dërguarit të Tij (sal-lAllahu alejhi ve selem!) dhe nuk besojnë se Cilësitë e Allahut i përngjasojnë cilësive të krijesave të Tij.

- Ata thonë: Allahu e ka krijuar Ademin (alejhi selam) me Dy Duart e Tij, siç e ka shprehur këtë në Fjalën e Tij: 

“(Allahu) i tha: O Iblis! Ç’të ndaloi ty që të mos i biesh në sexhde atij, të cilin Unë e krijova me Dy Duart e Mia?” [Sad: 75].

Ata nuk e ndryshojnë fjalën nga domethënia e saj, duke thënë (p.sh.) se Dy Duart e Allahut janë dy mirësitë e Tij, apo dy Fuqitë e Tij, ashtu siç kanë bërë mu’tezilitë [5] dhe xhehmijet [6] (Allahu i shkatërroftë!), as nuk i përshkruajnë ato të Dyja (Duart e Allahut) me ndonjë formë dhe as nuk i krahasojnë Ato me duart e krijesave, siç i krahasojnë mushebbihitë [7] (Allahu i fëlliqtë!).

Ndërsa pasuesit e Sunetit [8], Allahu i ka ruajtur nga tahrifi [9] (ndryshimi i domethënies së fjalës), nga tashbihi (krahasimi) dhe nga tekjifi (përshkrimi e përshtatja), si dhe u ka dhënë atyre njohuri e kuptim nga Mirësia e Tij.

Ata ndoqën rrugën e Njësimit dhe pastrimit të Allahut (nga ajo që nuk i përshtatet) dhe u larguan nga ta’tili (heqja dhe zhveshja e Allahut prej atyre cilësive) dhe nga teshbihu (krahasimi), duke ndjekur Fjalën e Allahut të Lartësuar:

“Asgjë nuk i përngjet Atij dhe Ai është Gjithëdëgjuesi, Gjithëshikuesi.” [Esh Shura: 11].

Po ashtu, Kurani i ka përmendur Dy Duart e Allahut të Lartësuar, si në Fjalën e Allahut:

“(Allahu) i tha: O Iblis! Ç’të ndaloi ty që të mos i biesh në sexhde atij të cilin Unë e krijova me Dy Duart e Mia?” [Sad: 75].

Gjithashtu i ka përmendur në Fjalën e Allahut: 

“Përkundrazi, të Dyja Duart e Tij janë të shtrira. Ai shpenzon nga Begatitë e Tij siç do Ai.” [El Maide: 64].

Gjithashtu, janë transmetuar Hadithe të sakta nga i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem!), të cilat përmendin Dorën e Allahut, siç është Hadithi i dialogut ndërmjet Musait dhe Ademit (alejhima selam) kur Musai i tha:

“Allahu të ka krijuar ty me Dorën e Tij dhe ka urdhëruar engjëjt që të bëjnë ty sexhde…” [10]

Apo siç është Hadithi Kudsi, ku Allahu i Lartësuar thotë:

“…Unë nuk i barazoj ata të mirët prej pasardhësve të atij që krijova me Dy Duart e Mia, me atë që i thashë bëhu dhe ai u bë (engjëjt).” [11]

Dhe Hadithi: 

“Allahu e ka krijuar Firdeusin me Dorën e Tij.” [12]

Po kështu, ata (pasuesit e Sunetit) thonë për të gjitha Cilësitë e Allahut të cilat i ka përmendur Kurani dhe Hadithet e sakta, si (p.sh). Dëgjimi i Allahut, Shikimi dhe Syri i Tij, Fytyra e Tij, Dija, fuqia dhe plotfuqishmëria për çdo gjë, krenaria dhe madhështia, dëshira dhe vullneti, të folurit e Allahut dhe Fjala e Tij, pëlqimi dhe pakënaqësia e Tij, dashuria dhe urrejtja, gëzimi dhe qeshja e Tij, e të tjera Cilësi të Allahut të Lartësuar.

Ata i besojnë këto pa i krahasuar me ato të krijesave, por duke qëndruar në kufijtë të cilat i ka vënë Allahu dhe i Dërguari i Tij (sal-lAllahu alejhi ve selem), pa shtuar mbi ato, pa i përshkruar, pa i krahasuar me ato të krijesave, pa e shtrembëruar kuptimin apo shprehjen e tyre, pa i ndërruar me diçka tjetër, pa e zhveshur fjalën nga kuptimi i saj i njohur dhe i përdorur në gjuhën arabe, duke e shpjeguar atë me ndonjë komentim të paqënë e të refuzuar.

Por ata ndjekin kuptimin e drejtpërdrejtë të këtyre ajeteve apo Haditheve dhe e lënë dijen e hollësishme të tyre tek Allahu i Lartësuar, duke pohuar që shpjegimin e të Vërtetës (formën, mënyrën etj.) së tyre, nuk e di kush përveç Allahut, ashtu si na ka treguar Allahu i Lartësuar për dijetarët e vërtetë, në Fjalën e Tij:

“Dhe ata që janë plotësisht të vendosur në dije, thonë: Ne besojmë në të (Kuranin); i tëri (Ajete të qarta e të paqarta) është nga Zoti ynë. Dhe nuk marrin mësim veçse ata që janë të brumosur me mendje të shëndoshë.” [Al Imran: 7].


Kurani i Lartë është zbritur nga Allahu dhe nuk është i krijuar.


Dijetarët e Hadithit dëshmojnë dhe besojnë se Kurani është Fjala e Allahut, Libri i Tij, Shpallja e Tij, ajo që Allahu ka zbritur dhe nuk është i krijuar. Ndërsa ai që thotë se Kurani është i krijuar dhe ka bindje për këtë, ai është kafir (i dalë nga Feja).

Kurani, i cili është Fjalë e Allahut dhe Shpallje prej Tij, është ai Kuran me të cilin ka zbritur Xhibrili te i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem), në gjuhën arabe dhe që është përgëzues e qortues për popullin që sheh.

Allahu i Lartësuar thotë: 

“Dhe sigurisht që ky (Kurani) është shpallje nga Zoti i gjithësisë, me të cilin ka zbritur Shpirti i besueshëm (Xhibrili) në zemrën tënde (O Muhamed) që të mund të jesh prej këshilluesëve. Ai është zbritur në gjuhën e qartë arabe.” [Esh Shuara: 192-195].

Ai është Kurani, të cilin Muhamedi (sal-lAllahu alejhi ve selem) ia komunikoi popullit të tij, ashtu siç u urdhërua në Fjalën e Allahut të Lartësuar:

“O ti i Dërguar (Muhamed)! Shpalle mesazhin i cili të është zbritur ty nga Zoti yt!…” [El Maide: 67].

Kështu, ajo që ai (sal-lAllahu alejhi ve selem) u shpalli atyre me urdhërin e Allahut, ishte Fjala e Allahut të Lartësuar për të cilën i Dërguari (sal-lAllahu alejhi ve selem) ka thënë:

“A më pengoni mua që të shpall Fjalën e Zotit tim?!” [13]

Është ai Kuran, i cili ruhet në gjokse (përmendësh), lexohet me gjuhë dhe shkruhet në letër. I gjithë ai është Fjalë e Allahut të Lartësuar dhe nuk është i krijuar. Ndërsa ai që pretendon se Kurani është i krijuar, ai e ka mohuar Zotin e Lartësuar.

- Autori thotë: Kam dëgjuar El Hakim Ebu Abdullah, të thotë: Kam dëgjuar Ebu el Uelid Hasan ibën Muhamed të thotë: Kam dëgjuar imam Ebu Bekr Muhamed ibën Is’hak ibën Huzejmeh të thotë:

“Kurani është Fjalë e Allahut dhe nuk është i krijuar, ndërsa ai që thotë se Kurani është i krijuar, e ka mohuar Allahun e Lartësuar (është kafir) dhe nuk i pranohet shehadeti, nuk vizitohet kur është i sëmurë, nuk i falet xhenazeja dhe nuk varroset në varrezat e muslimanëve. Atij i jepet afat tri ditë që të pendohet e nëse nuk e bën, atëherë i pritet koka.” [14] 

Shqiptimi i Kuranit.

Shejh Ebu Bekër el Ismaili el Xhurxhani, në broshurën e tij të cilën ia dërgoi banorëve të Xhilanit, shkruante:

“Kush thotë se të shqiptuarit e Kuranit është i krijuar dhe ai ka për qëllim vetë Kuranin, ai ka thënë se Kurani është i krijuar.”

Ibën Mehdi et Taberi në librin “Akideja” të cilin e shkroi për banorët e atyre vendeve (të Taberisë), thotë:

“Pasuesit e Sunetit dhe Xhematit kanë bindjen se Kurani është Fjalë e Allahut të Lartëmadhëruar, shpallja e Tij, ajo që Ai ka zbritur, Urdhëri dhe ndalesa e Tij, dhe nuk është i krijuar. Ndërsa kush thotë se ai është i krijuar, ai e ka mohuar Allahun e Lartësuar. Kurani është i ruajtur në gjokset tona, lexohet me gjuhët tona dhe është i shkruar në letër. Ai është Fjalë me të cilën Allahu i Lartësuar ka folur, ndërsa kush thotë: Kurani me të shqiptuarin tim është i krijuar, ose se shqiptimi im i Kuranit është i krijuar, ai është injorant, i humbur dhe mohues i Allahut të Lartësuar.”

E përmenda këtë pjesë nga libri i Ibën Mehdiut për shkak të përkrahjes sime të tij në të, sepse ai ka pasuar selefët prej dijetarëve të Hadithit në atë që ka thënë edhe pse ai ka qenë i zhytur në shkencën e oratorisë e filozofisë dhe shkrimet e tij në to janë të shumta, por këtë temë ai e ktheu te të zotët e saj dhe e mori atë prej tyre.

Na ka treguar hafiz Ebu Abdullah: Kam lexuar një shkrim të Ebu Amër el Mustemli të thoshte: Kam dëgjuar Ebu Uthman Seid ibën Ishkab të thotë: Kam pyetur Is’hak ibën Ibrahim për të shqiptuarit e Kuranit dhe ai tha:

“Kjo gjë nuk duhet të diskutohet. Kurani është Fjalë e Allahut dhe nuk është i krijuar.”

Ibën Xherir et Taberi, në librin “El Itikad” të cilin e ka veçuar për këtë temë, thotë:

“Përsa i përket të shqiptuarit e Kuranit prej njerëzve, nuk ka ndonjë gjurmë prej sahabëve apo tabiinëve, përveç asaj që ka ardhur nga ai, fjala e të cilit ka qënë e mjaftueshme dhe bindëse; në pasimin e të cilit është e vërteta dhe udhëzimi; fjala e të cilit vihet në vendin e imamëve të parë të këtij umeti:  Ebu Abdullah Ahmed ibën Hanbel (Rahimullah).

Ebu Ismail et Tirmidhi më ka thënë se ka dëgjuar Ebu Abdullah Ahmed ibën Hanbel (Rahimullah) të thotë:

“Çështja e të shqiptuarit e Kuranit është prej xhehmive, ndërsa Allahu thotë:

“…atëherë siguroi atij strehim me qëllim që ai të dëgjojë Fjalën e Allahut…” [Et Teube: 6].

Prej kujt do ta dëgjojë atë? (a nuk do ta dëgjojë prej gojës së njeriut dhe megjithatë Allahu ka thënë: që të dëgjojë Fjalën e Allahut?!).”

Pastaj tha (Tirmidhiu): Kam dëgjuar një grup prej shokëve tanë, emrat e të cilëve nuk më kujtohen, se kanë thënë për imam Ahmedin (Rahimullah), se ai thoshte:

“Kush thotë se shqiptimi im i Kuranit është i krijuar, ai është xhehmij, kurse ai që thotë se shqiptimi im i Kuranit nuk është i krijuar, ai është bidatçi (sepse këtë shprehje nuk e kanë thënë të parët).”

Muhamed ibën Xherir thotë:

 “Nuk na lejohet të themi në këtë temë fjalë tjetër përveç fjalës së tij (imam Ahmedit), sepse nuk kemi paraardhës që të ketë thënë gjë tjetër përveç atij. Aq më tepër, kur ajo që ai ka thënë, është e mjaftueshme dhe bindëse, dhe se ai është imami që duhet të pasohet, mëshira dhe kënaqësia e Allahut qofshin mbi të!”

Këto ishin fjalët e Muhamed ibën Xheririt, të cilat i kam marrë nga libri i tij “El I’tikad”.

- Them (autori): Muhamed ibën Xheriri e ka pastruar veten e tij me këtë temë të librit të tij, nga e gjithë ajo që i është mveshur dhe me të cilën është akuzuar se gjoja ka dalë nga rruga e Sunetit dhe ka anuar nga bidati.

Përsa i përket asaj që ka treguar për Ahmedin (Rahimullah), se të folurit në shqiptimin e Kuranit është prej xhehmive, këtë fjalë ai e ka thënë vërtetë dhe kjo për arsye se Xhehmiu [15] dhe pasuesit e tij qenë të parët, të cilët thanë se Kurani është i krijuar dhe qenë ata që folën për shqiptimin e Kuranit, duke arritur gradualisht në thënien se Kurani është i krijuar, por në atë kohë (në kohën e imam Ahmedit) kishin frikë prej pasuesëve të sunetit që ta shprehin hapur këtë fjalë, kështu që folën për shqiptimin e Kuranit, duke pasur për qëllim se ai me shqiptimin tonë është i krijuar. Për këtë shkak, imam Ahmedi i quajti ata me emrin xhehmije.

Transmetohet gjithashtu se imam Ahmedi ka thënë: “Çështja e shqiptimit është më e keqe se ajo e xhehmijes.”

Ndërsa ajo që ka treguar Muhamed ibën Xheriri për imam Ahmedin, se ai ka thënë: Kush thotë se shqiptimi im i Kuranit është i krijuar, ai është bidatçi, ka pasur për qëllim me këtë se të parët prej Ehli Sunetit nuk e kanë zënë me gojë çështjen e shqiptimit të Kuranit dhe as që kanë pasur nevojë të hynë në të, por kjo fjalë është shpikur nga ata që kërkojnë të zhyten në gjëra që nuk u takojnë dhe nga mendjelehtët të cilët shpikën gjëra të paqëna dhe i kaluan kufijtë e ndalesave dhe të fjalëve të ulëta, duke u futur në atë që nuk janë futur të parët prej dijetarëve të Islamit. Për këtë shkak ka thënë imam Ahmedi, se kjo fjalë është bidat dhe se ai që pason sunetin duhet të largohet prej saj, mos ta shprehë atë dhe as ndonjë fjalë të ngjashme me të prej bidateve, por të qëndrojë te ajo që kanë thënë selefët prej dijetarëve që duhen ndjekur dhe të thonë: “Kurani është Fjalë e Allahut dhe nuk është i krijuar”, pa shtuar gjë tjetër mbi këtë fjalë!

Na ka treguar hafiz El Hakim Ebu Abdullah, se Ebu Bekër Muhamed ibën Abdullah El Xherahi u ka thënë (atij dhe atyre që ishin me të) në Merv (qyteti më i njohur në Horasan), se Jahja ibën Sasuvejh ka thënë: Abdulkerim es Sukeri ka thënë: Më ka treguar Uehb ibën Zumah se Ali el Bashani ka thënë: Kam dëgjuar Abdullah ibën el Mubarek të thotë:

“Kush mohon një gërmë të vetme të Kuranit, ka mohuar të gjithë Kuranin dhe kush thotë se unë nuk e besoj këtë “lam” (shkronjën “lam”), ai ka dalë nga Feja.” [16]

__________________________________________

[1] - Temën në fakt e ka vendosur studiuesi i librit.

[2]
- Ka për qëllim udhëtimin për në xhaminë e të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem), pasiqë disa dijetarë e quajnë atë udhëtim, udhëtim për të vizituar varrin. Dijetari i Islamit, Ibën Tejmije (Rahimullah) thotë se disa dijetarë e quajnë udhëtimin për t’u falur në xhaminë e tij (sal-lAllahu alejhi ve selem), udhëtim për tek varri i tij (sal-lAllahu alejhi ve selem) dhe thonë: Vizita e varrit të tij (sal-lAllahu alejhi ve selem) është vepër e pëlqyeshme. Por qëllimi i tyre është udhëtimi për në xhaminë e tij (sal-lAllahu alejhi ve selem) dhe të vepruarit atje adhurimet e ligjërueshme, si përshëndetja me selam të Dërguarin (sal-lAllahu alejhi ve selem), bërja lutje për të dhe lavdërimi i tij. [Mexhmuul fetava: 27/246, të përmbledhur].

Ndërsa të udhëtuarit thjeshtë për tek varri i tij (sal-lAllahu alejhi ve selem), është e paligjëruar.

[3]
- Kjo shprehje nuk është e përshtatshme sepse jo çdokush që beson diçka që e kundërshton Sunetin del nga feja.

[4]
- Dijetarët e Hadithit janë të kapurit për Librin e Allahut të Lartësuar dhe ndjekësit e rrugës së të Dërguarit të Tij, Muhamedit (sal-lAllahu alejhi ve selem). Esh Shehristani në librin “El milel uen nihal” thotë: “Janë quajtur ithtarë të Hadithit sepse ata kujdeseshin për gjetjen e Haditheve dhe të transmetimeve që vinin nga të parët, pastaj nxirrnin ligjet e dispozitat në mënyrë të drejtpërdrejtë nga tekstet e tyre, duke mos u kthyer te kijasi (shëmbëlltyra e çështjeve me njëra-tjetrën) apo te logjika e tyre, vetëm në rast se nuk gjenin Hadith apo fjalë të Sahabeve. Sipas kësaj domethënieje, ata janë ndryshe nga pasuesit e logjikës dhe e të kuptuarit të tyre. Dijetari i Islamit, Ibën Tejmije (Rahimullah), në sqarimin e asaj që është për qëllim me shprehjen “Ehlul Hadith” thotë: “Me shprehjen “Ehlul Hadith”, ne nuk kemi për qëllim thjesht ata që mjaftohen me të dëgjuarit e tij, të shkruarit apo të transmetuarit e tij, por kemi për qëllim me këtë shprehje të gjithë ata të cilët garojnë në mësimin e Haditheve përmendësh, i njohin dhe i kuptojnë ato me perceptim gjithpërfshirës; të drejtpërdrejtë apo të tërthortë.” == … Më pas tregon diçka nga vlera e tyre, duke thënë: “Veçoria më e afërt tek ata, është dashuria për Kuranin dhe Hadithin, kërkimi për gjetjen e tyre dhe të domethënies së tyre, si dhe të vepruarit sipas asaj që mësojnë prej tyre. Për këtë shkak, fukahatë –juristët-, të cilët janë dijetarë të Hadithit, e njohin të Dërguarin e Allahut më mirë se fukahatë e tjerë. Po kështu edhe prijësit prej tyre, e njohin politikën profetike më mirë se të tjerët, dhe populli i thjeshtë prej tyre, ka më shumë të drejtë se të tjerët në dashurinë e të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ve selem). [Mexhmuul fetava: 4/95].

Në një vend tjetër thotë: “Ehlul Hadith” janë selefët e tre brezave të parë dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tyre.” [Mexhmuul fetava: 6/355]. 

[5]
- Mutezilitë janë një prej grupeve të humbura, të cilët janë shfaqur në kohën kur Vasil ibën Atai nxori bidatin e tij, duke thënë se Fasiku-ai që bën harame të mëdha- është në një vend të mesëm midis kufrit dhe imanit (mosbesimit dhe besimit) dhe për këtë shkak, Hasen el Basriu e largoi atë nga mësimet e tij. Atëherë ai u veçua në një prej cepave të xhamisë së Basras dhe atij iu bashkua shoku i tij, Amër ibën Ubejd ibën Bab. Atëherë njerëzit thanë se ata të dy u veçuan (itezela) nga fjala e popullit, ndërsa pasuesit e tyre i quajtën që atë ditë me termin “mu’tezili”. 

Ky emërtim përfshin një numër të madh grupesh të cilat i bashkojnë me njëra-tjetrën në bidatin e tyre disa çështje prej të cilave po përmendim: Mohimi i cilësive të përhershme të Allahut të Lartësuar, mohimi i të shikuarit Allahun me sy (në Ditën e Kijametit), thënia se Fjala e Allahut është e krijuar, thënia se njerëzit i krijojnë vetë punët e tyre dhe se Allahu nuk ka dorë e caktim në to (prej këtu janë quajtur “kaderije”), thënia se fasiku është në një vend të mesëm midis dy vendeve, etj.

[6]
- Xhehmijet janë pasuesit e Xhehëm ibën Safvan. Bidati i tij është shfaqur në Tirmidh. Atë e vrau Selem ibën Ahvez el Mazini në Merva, nga fundi i sundimit të Beni Umejjes. Ai u bashkangjitet mu’tezilive në mohimin e cilësive të përhershme të Allahut, mohimin e shikimit te Ai dhe se Fjala e Allahut është e krijuar. Por ai ka shtuar edhe disa fjalë të tjera, si: Thënia e tij se nuk lejohet që Allahu të cilësohet me një cilësi, me të cilën mund të cilësohet edhe njeriu, sepse sipas tyre, kjo do të thotë ta krahasosh Allahun me krijesat. Kështu, ai mohoi të qënurit e Allahut i Gjallë e i Ditur dhe pohoi se Ai është i Mundshëm, Veprues dhe Krijues. Ai thotë gjithashtu se njeriu është i detyruar në veprat e tij dhe nuk ka të drejtë të zgjedhë e të veprojë dhe se Xheneti e Xhehenemi do të shuhen e do të kenë fund. Sipas tij, Imani është njohja e Allahut dhe se ai është njëlloj te të gjithë besimtarët (nuk shtohet e nuk pakësohet). [Marrë nga libri “El Milel uen nihal” i Shehristanit (Rahimullah)]. 

[7]
- Mushebbihitë janë ata që e krahasojnë Allahun me krijesat e Tij. Krahasimi është dy llojesh: I pari është krahasimi i krijesave me Krijuesin, siç kanë krahasuar të krishterët Isain me Allahun, apo siç kanë krahasuar idhujtarët idhujt e tyre me Allahun.

Lloji i dytë i krahasimit është krahasimi i Krijuesit me krijesat e Tij, siç është fjala e mushebbihive se Allahu ka Dorë dhe ajo është si dora jonë, apo se Ai dëgjon si ne (I Lartë është Allahu ngo ajo që i përshkruajnë).
[Et tenbihat es senije ala el akide el vasitije: f. 13].

El Bagdadi përmend se mushebbihitë, ata të llojit të dytë të krahasimit, janë dy grupe: njëri krahason Qënien e Allahut me atë të krijesave dhe tjetri krahason Cilësitë e Allahut me ato të krijesave. [El ferku bejnel firak: f.214].

[8]
- “Pasuesit e Sunetit” janë të kapurit për rrugën e të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem) dhe shokëve të tij. Imam Ibën Tejmije, në librin “El Akide el Uasitije”, duke sqaruar rrugën e pasuesëve të Sunetit thotë: Prej Rrugës së Ehli Sunetit dhe Xhematit është pasimi i gjurmëve të të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem), në kuptimin e drejtpërdrejtë apo të tërthortë të tyre, si dhe pasimi i i rrugës së emigruesëve të parë dhe ensarëve (ndihmuesëve të tyre në Medine). Ata janë pasuesit e amanetit të të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ve selem), i cili ka thënë: “Kapuni për Sunetin (rrugën) time dhe rrugën e halifëve të drejtë e të drejtëudhëzuar që do jenë pas meje! Kapuni për të dhe shtrëngojeni fortë me dhëmballë!”. Ata e dinë se fjala më e vërtetë është Fjala e Allahut dhe se udha më e mirë, është ajo e Muhamedit (sal-lAllahu alejhi ve selem). Ata i japin epërsi Fjalës së Allahut mbi fjalën e çdokujt prej njerëzve dhe udhës së Muhamedit (sal-lAllahu alejhi ve selem) mbi udhën e çdokujt tjetër. Për këtë shkak janë quajtur “Ehlul Kitabi ues Suneh.” Mbaroi fjala e Ibën Tejmijes (Rahimullah).

[9]
- Ibnul Kajjim (Rahimullah), në librin “Muhtesar es sauaik elmurseleh”, thotë: “Tahrifi (shtrembërimi) është dy llojesh: Shtrembërim i vetë shprehjes dhe shtrembërim i kuptimit të asaj shprehjeje. Shtrembërimi i shprehjes është të ndërruarit e saj me një tjetër, duke shtuar a hequr një shkronjë, apo duke ndryshuar një shenjë e cila ndikon në analizën e fjalisë, apo që nuk ndikon në analizën e fjalisë por që e ndryshon shprehjen.

Këto janë katër lloje në të cilat u zhytën Xhehmijet dhe Rafiditë. Ata i ndryshuan shprehjet e Haditheve (duke shpifur Hadithe të paqëna) por nuk mundën ta bëjnë këtë me shprehjet e Kuranit edhe pse rafiditë, në fakt, kanë ndryshuar shumë prej shprehjeve të Kur’anit dhe thonë se Ehli Suneti e kanë ndryshuar atë nga origjina e tij. Ata pretendojnë se kanë Kuran të ndryshëm nga ky që njohin muslimanët dhe se atë e kanë trashëguar nga Sahabet.

Ndërsa shtrembërimi i kuptimit të fjalës, është fusha në të cilën u hapën më së shumti dhe e quajtën atë ta’vil (shpjegim me gjëra të tjera, komentim). Por ky emërtim është diçka e keqe dhe e re të cilën nuk e ka njohur gjuha arabe dhe me të është për qëllim shtrembërimi i kuptimit të fjalës nga origjina dhe e vërteta e saj, dhe dhënia kuptim tjetër asaj fjale, sipas përafërsisë kuptimore të fjalëve…”


[10] - Transmetimi i këtij Hadithi do të vijë më pas.

[11]
- Këtë Hadith e ka nxjerrë Bejhakiu në librin “El Esmau ues Sifat” dhe Ed Dujlemi në librin “El Firdeus”, nga Xhabir ibën Abdullah (Rahimullah). E ka transmetuar gjithashtu, Taberani në “El Kebijr” nga Ibën Umeri (radijAll-llahu anhu). 

Në fillim të këtij Hadithi thuhet: “Engjëjt thanë: O Zoti ynë! Ti i ke dhënë bijëve të Ademit dunjanë në të cilën ata hanë e pinë, u hipin kafshëve e vishen me rroba të mira, ndërsa ne të adhurojmë Ty dhe nuk hamë e pimë dhe as luajmë. Ashtu si u ke dhënë atyre dunjanë, na e jep neve botën tjetër! Allahu tha: Nuk ua jap…” 

[12]
- E ka nxjerrë Darakutni dhe Bejhakiu, nga Harith ibën Nofel. Hadithi i plotë është: “Allahu i Madhëruar ka krijuar tre gjëra me Dorën e Tij: Ka krijuar Ademin me Dorën e Tij, ka shkruar Teuratin me Dorën e Tij dhe ka mbjellë Firdeusin me Dorën e Tij.”

[13]
- E ka nxjerrë Ebu Daudi, Tirmidhiu, Ibën Maxheh, Hakim, Ed Darimi, Ahmedi. E ka saktësuar Hakimi dhe Dhehebiu. Hadithi i plotë është: “I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ve selem) shkonte te njerëzit kur bënin haxhin (para Islamit) dhe u thoshte: “A ka ndonjë që të më marrë te populli i tij, sepse kurejshët më penguan që të shpall Fjalën e Zotit tim?”

[14]
- Këtë fjalë e ka përmendur Dhehebiu, në librin “Sijeru ealami en nubela”. 

[15]
- Ai është El Xhehëm ibën Safuan Ebu Mihraz es Samerkandi për të cilin Dhehebiu thotë: “Ai është i humbur, bidatçi dhe koka e xhehmive. Është vrarë në kohën e tabiinëve të vegjël dhe nuk di të jetë transmetuar gjë prej tij, por ai ka mbjellë një sherr shumë të madh.”

Ndërsa El Bagdadi thotë: “Prej veprave të këqia të Xhehmit ishte se ai ngrinte krye mbi udhëheqësit dhe ka dalë bashkë me Shurejh ibën el Harith, kundra Nasër ibën Sejar.” [Mizanu el itidal: 1/426, El ferku bejnel firak: f. 200].

[16]
- Këtë fjalë të Ibën el Mubarek e ka përmendur gjithashtu Ibën Tejmije (Rahimullah), me tekst të njëjtë, por pa zinxhir transmetuesish, duke e transportuar nga libri “El fusul fil usul” i Ebu Hasen el Kerhit. [Mexhmuul fetava: 4/182].

 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free