BIOGRAFIA E AUTORIT
BIOGRAFIA E AUTORIT
Koha në të cilën ai ka jetuar
Së pari: Gjendja politike e asaj kohe
- Autori, Ebu Uthman es Sabuni ka jetuar në çerekun e fundit të shekullit të katërt dhe në gjysmën e parë të shekullit të pestë të hixhretit. Pikërisht ndërmjet viteve (373-449 h.).
Ai ishte bashkëkohës i tre prej prijësave (halifëve) të shtetit Abasit. I pari i tyre ka qenë prijësi Et Taiu Lilah Ebu Bekër Abdulkerim ibën el Mutiju Lilah, i cili qëndroi në pushtet nga viti 363 h. deri sa u hoq në vitin 381 h.
I dyti ishte prijësi El Kadiru Bilah ebu el Abas Ahmed ibën Is’hak ibën Xheafer, i cili e mori pushtetin në vitin 381 h. dhe qëndroi në të derisa ndërroi jetë, në vitin 422 h.
Ndërsa prijësi i tretë ishte El Kaimu Biemrilah Ebu Xheafer Abdullah ibën el Kadiru Bilah, i cili e mori pushtetin pas vdekjes së të atit, në vitin 422 h. dhe qëndroi në pushtet derisa ndërroi jetë, në vitin 467 h.
Në këtë periudhë, fuqia e prijësave Abasitë u dobësua dhe pushteti ra në duart e të tjerëve.
Vendet e Horasanit, prej të cilave ishte edhe Nisaburi, vendi në të cilin jetoi autori, u sunduan nga prijësa të ndryshëm, njëri pas tjetrit. Në fillim, pushteti ishte në duart e Es Samanije, më pas në duart e Beni Subuktikin dhe më pas në duart e Beni Sulxhuk.
Kështu që, vendet e Horasanit ishin të pastabilizuara dhe gjendja politike e tyre ishte tranzicionale, gjë e cila padyshim ka pasur ndikim negativ te njerëzit e asaj kohe.
Së dyti: Gjendja ideologjike dhe shkencore e asaj kohe Kjo periudhë kohore shquhet për ekzistencën e një numri të konsideruar grupesh e sektesh të ndryshme, të cilat ishin në kundërshtim me drejtimin e Ehli Sunetit (pasuesëve të sunetit), si dhe për ekzistencën e disa figurave të shquara në shkencat dhe kulturat e ndryshme.
Es Sujuti ka përcjellë nga imam Dhehebiu se ai ka thënë për kohën e halifes El Kadiru Bilah: “Në këtë periudhë është shfaqur edhe koka e esharive: Ebu Is’hak el Isfrajini [1] , koka e muetezilive: gjykatësi Abdulxhebar [2], koka e rafidive: Esh shejh el muktedir apo Esh shejh el Mufid, koka e keramitave: Muhamed ibën el Hejsam, koka e hafizave të shquar: Ebul Hasen el Hamami, koka e muHadithinëve: hafiz Abdulgani ibën Seid, koka e sufive: Ebu Abdurrahman es Selmi, koka e poetëve: Ebu Umer ibën Deraxh dhe koka e mbretërve: sulltan Mahmud ibën Subuktikin.” [3]
Më pas Sujuti shtoi: “Këtyre u shtohet koka e zindikëve (të dalëve nga Feja): El Hakim Biemrilah, koka e gjuhëtarëve: El Xheuheri, koka e gramatikanëve: Ibën Xhina, koka e elokuentëve: El Bedij, koka e predikuesëve: Ibën Nebata, koka e komentatorëve: Ebu el Kasim ibën Habib en Nisaburi, etj.”
Padyshim se përhapja e këtyre grupeve dhe thirrja e kokave të tyre në to, ka pasur ndikim të rrezikshëm në shoqërinë e asaj kohe.
Prej fitneve (trazirave) që ndodhën në atë kohë për shkak të këtyre grupeve, ka qenë fitneja që ndodhi ndërmjet rafidive dhe pasuesëve të Sunetit në Bagdad, në vitin 398 h. Fitne në të cilën shejhu Ebu Hamid el Isfrajini [4] iu afrua vdekjes. Por kur lajmi i shkoi halifes El Kadiru Bilah, ai dërgoi forcat e tij për t’u ardhur në ndihmë pasuesëve të Sunetit dhe rafiditë u thyen.
Më pas, në vitin 422 h. këto fitne ndërmjet pasuesëve të Sunetit dhe rafidive u përtërinë dhe u shtuan, por pasuesit e Sunetit u bashkuan dhe vranë shumë prej tyre.
Prijësat abasitë, në këtë periudhë, ishin të kapur për rrugën e Ehli Sunetit. Lexo fjalën e Hatib el Bagdadit për halifen abasit, El Kadiru Bilah: “Ai posedonte moral, fe, namaz të gjatë nate, bamirësi e bujari, me të cilat u shqua dhe u bë i njohur te të gjithë, shtoi këtyre edhe drejtimin e mirë dhe besimin e saktë. Ai shkroi një libër në fushën e Usulu fikhut, në të cilin përmendte vlerat e sahabeve, sipas metodës së dijetarëve të Hadithit. Në atë libër, nën temën për vlerat e Umer ibën Abdulaziz, ai përmend kufrin - daljen nga Feja - të muetezilive dhe të atyre që thonë se Kurani është i krijuar. Ai libër lexohej çdo të xhuma në tubimin e dijetarëve të Hadithit, në xhaminë El Mehdi. Gjatë leximit të tij prezentonin edhe njerëzit dhe e dëgjonin atë.” [5]
Sigurisht që numri i madh i figurave të shquara në atë kohë, tregon zhvillimin e fushës akademike e shkencore, saqë edhe shumica e halifëve dhe princave të asaj kohe posedonin sasi të konsiderueshme dijeje e njohurie, nga më të shquarit e të cilëve ka qenë El Kadiru Bilah. Ata i donin dijetarët dhe i madhëronin ata, gjë e cila ndikoi ndjeshëm në zhvillimin e lëvizjes akademike e shkencore.
Ky ishte një vështrim i shpejtë dhe i shkurtër në gjendjen ideologjike e shkencore të asaj kohe, ku siç e pamë, veçoria më e shquar e saj ishte ekzistenca e një numri të konsiderueshëm grupesh e sektesh të ndryshme, të cilat padyshim që do të përhapnin idetë e tyre në shoqëri. Për këtë shkak, gjejmë se dijetarët e Sunetit të asaj kohe kanë shkruar libra të shumtë për sqarimin dhe qartësimin e bindjes së pasuesëve të Sunetit, siç ka bërë edhe imam Es Sabuni (Rahimullah). Disa të tjerë kanë shkruar libra ku i kundërpërgjigjen atyre grupeve të humbura e të devijuara, si dhe rrëzojnë dilemat dhe gjërat e dyshimta që ata hedhin në popull.
Prejardhja e autorit.
Emri i tij është Ebu Uthman Ismail ibën Abdurrahman ibën Ahmed ibën Ismail ibën Ibrahim ibën Amir ibën Abid es Sabuni En Nijsaburi, hafiz, muhadith, fakih, i titulluar si dijetar i Islamit.
Fjala “Es Sabuni” është marrë nga punimi i sapunit, siç thotë Es Semaani në librin “Prejardhjet”: “Në Nisabur ka qenë një shtëpi e madhe për prodhimin e sapunit dhe ndoshta ndonjë prej gjyshërve të tij ka pas punuar në të, kështu i është mveshur kjo kunjë.”
Jeta e tij.
Ka lindur në Bushenxh, në zonat e Huratit (Sixhistan) në mesin e muajit Xhemadul Ahira, në vitin 373 hixhri.
Abdulgafir el Farisi thotë: Babai i tij, Abdurrahman Ebu Nasr, ka qenë prej predikuesëve të mëdhenj të Nisaburit dhe u ndoq e u vra për shkak të fanatizmit dhe medh’hebit të tij. Kështu që i biri i tij, Ismaili zuri vendin e tij dhe u ul në karrigen e tij që në moshën dhjetë vjeç dhe të gjithë imamët e kohës së tij prezentonin tubimet e tij.
Edukimin e tij dhe përgatitjen e kushteve për kërkimin e dijes, e mori përsipër imam Ebu Tajjib Sehl ibën Muhamed es Saluki, i cili merrte pjesë në tubimet e tij dhe e lavdëronte atë.
Tubimet e tij i prezentonin gjithashtu dijetarë të mëdhenj si Ebu Is’hak el Isfrajini, imam Ebu Bekër ibën Furik, etj. Ata habiteshin me zgjuarsinë dhe mprehtësinë e tij, me bukurinë e formimit të shprehjeve në të dyja gjuhët, arabisht dhe persisht, dhe me mësimin përmendësh të Haditheve, cilësi të cilat u rritën bashkë me të dhe me të cilat arriti atë vend të lartë.
Gjatë gjithë kohës së tij, ai ishte i zënë me adhurime e punë të mira. Arriti majat në urtësi e formim të përgjithshëm.
Njihej për namazin e tij në formën më të mirë, faljen shumë natën dhe dlirësinë e tij, saqë merrej për shembull. [6]
Abdulgafir e përshkruan atë kështu: “Ai ishte imam, dijetar i Islamit, predikues, mufessir (komentator i Kur’anit), dijetar Hadithi dhe këshillues, i cili i bashkoi njerëzit e kohës së tij në rrugën e tij. I këshilloi muslimanët në tubimet e dijes shtatëdhjetë vjet radhazi. Priu njerëzit në namaz (imam) dhe mbajti hutbe në xhaminë e madhe në Nisabur, afro njëzet vjet.” [7]
Gjithashtu, ai thotë: “Ka qenë më i vullnetshëm se të gjithë dijetarët e kohës së tij në dëgjimin e Haditheve, në mbajtjen përmendësh të tyre dhe në përhapjen e dijes dhe librave të tij. Ka qenë më i shumti në grumbullimin e Haditheve dhe nxitjen në dëgjimin e tyre nëpër tubime. Hadithet i ka mbledhur në Nisabur, Serahas, Furat, Sham, Hixhaz e nëpër male. Ka pasur lidhje me shumë vende dhe numri i njerëzve që kanë marrë prej tij është shumë i madh.
Imam Sabuni (Rahimullah) ka qenë respektues i Hadithit dhe i kushtonte vëmendje të madhe zinxhirit të transmetuesëve.
Familja e tij.
Ebu Uthman es Sabuni ka pasur dy djem. I pari, Abdullahi, i cili vdiq gjatë rrugës për në Haxh, në kohën kur babai i tij ishte ende gjallë.
Ndërsa i dyti, Abdurrahmani, i cili e mori dijen dhe Hadithin prej babait të tij, në Nisabur dhe më pas u bë gjykatës në Azerbaxhan.
Edhe pse kunja e imam Sabunit është Ebu Uthman, nuk i kam gjetur ndonjë djalë me këtë emër në librat e biografive.
Ai ka pasur një vëlla, i cili quhej Is’hak ibën Abdurrahman Es Sabuni. Ai ka qenë këshillues e predikues dhe shpeshherë zëvendësonte vëllanë e tij nëpër tubime.
Nga të gjitha këto arrijmë në përfundimin se familja e Ismail Sabunit, ka qenë familje e dijes, urtësisë dhe udhëzimit.
Imam Sabuni e ka marrë dijen prej shumë dijetarëve të njohur dhe ka pasur gjithashtu shumë nxënës. Veprat e shkrimet e tij janë gjithashtu të shumta.
Akideja e Sabunit dhe medhhebi i tij.
Imam Sabuni është pasues i mendimit të dijetarëve të Hadithit prej Selefëve të mirë, kështu që akideja e tij është selefije.
Argumenti më i qartë për këtë është libri që kemi në duar, në fillim të të cilit ai ka shprehur se do të mbledhë në të, disa tema në bazat e akides, sipas bindjes së Selefëve, prej të cilave ai shpreson të ketë dobi.
Në fund të këtij libri, autori ka përmendur disa prej dijetarëve të mëdhenj të Hadithit dhe Sunetit, të cilët janë shembull për tu ndjekur dhe të cilët besojnë atë që ai e ka pohuar në librin e tij, pastaj thotë:
“Dhe unë, fal mirësisë së Allahut të Lartësuar, pasoj gjurmët e tyre, ndriçohem me dritën e tyre dhe këshilloj vëllezërit dhe shokët e mi që të mos rrëshqasin nga rruga e tyre, e të mos ndjekin fjalë të tjera përveç fjalëve të tyre. Deri në fund të fjalës së tij.
Ndërsa medhhebi i autorit në fikh, sipas asaj që kam kuptuar unë (studiuesi), është se medh’hebi i tij është Shafii, duke u bazuar në argumentet e mëposhtme:
01 - Gjetja e biografisë së tij në librat biografike të shafiive dhe në asnjë medh’heb tjetër.
02 - Pohimi i kësaj fjale prej dijetarit Ibën Amad el Hanbeli.
03 - Vetë autori, kur paraqiti në këtë libër të tij një numër dijetarësh sipas rrugës së të cilëve ai shkonte, përmendi në krye të tyre imam Shafiun dhe e lavdëronte e fliste mirë për të.
Dijetarët e mëdhenj kanë folur për të fjalët më të mira dhe kanë pohuar se ai është imam, hafiz, njohës i mirë i Hadithit e tefsirit, si dhe shkencave të tyre, njohës i letërsisë dhe i shumë shkencave të tjera.
Ebu Bekër el Bejheki, dijetar bashkëkohor i tij, ka thënë për të: “Ai është me të vërtetë imam i muslimanëve dhe sinqerisht, dijetar i Islamit. Njerëzit e kohës së tij kanë qenë të nënshtruar para lartësisë së tij në fe, sovranitet, bindje të sakta, dije të madhe dhe pasim të rrugës së selefëve.” [8]
Ebu Uthman es Sabuni ka vdekur në Nisabur, në kohën e ikindisë, ditën e enjte, 3 Muharrem, të vitit katërqind e dyzetë e nëntë sipas hixhretit, pas një sëmundjeje.
Vlerësimi i librit.
Libri i imam Sabunit është një prej librave që kanë kontribuar në pasurimin e bibliotekës Islame për sqarimin e Akides së ithtarëve të Sunetit dhe Xhematit, si dhe për qartësimin e bazave të Fesë, mbi të cilat kanë ndërtuar bindjen e tyre imamët e parë të selefëve tanë të mirë, unanimisht. Disa prej tyre, autori i ka përmendur në fund të këtij libri.
Autori, Ebu Uthman es Sabuni, në këtë libër ka ndjekur metodën e saktë në parashtrimin e atyre bazave, pasiqë ai nuk mjaftohet me miratimin e një baze pa e përmendur edhe argumentin e saj. Gjithashtu, shumicën e Haditheve dhe fjalëve të sahabeve e tabiinëve, ai i transmeton me sened (zinxhir transmetuesish), sipas metodës së dijetarëve të Hadithit.
Ky libër konsiderohet një prej burimeve mbi të cilat mbështeten dijetarët për miratimin e Akides së Selefëve. Prej shembujve për këtë është edhe shejhu i Islamit, Ibën Tejmije dhe Ibën el Kajim, të cilët kanë marrë prej tij.
Eshtë e njohur se për sqarimin e Akides së Ehli Sunetit janë shkruar libra të shumtë, prej të cilave koha na ka ruajtur disa, por ky libër dallohet për përmbledhjen e tij dhe moszgjatjen, megjithëse ai i ka përfshirë thuajse të gjitha çështjet e përgjithshme të Akides.
Prej kritikave që mund t’i bëhen autorit të librit (Rahimullah) është se në disa çështje, ai ka argumentuar me Hadithe të dobëta, duke qenë se në ato çështje ka pasur Hadithe të sakta e të mjaftueshme, pa qenë nevoja të përmenden Hadithet e dobëta. Siç është për shembull, përmendja e transmetimit të Ebu Hazimit në çështjen e zbritjes së Allahut në qiellin e dynjasë, apo përmendja e Hadithit të gjatë të Muhamed ibën Keab el Kuradhi.
__________________________________________
[1] - Ai është Ibrahim ibën Muhamed ibën Ibrahim ibën Mehran Ebu Is’hak el Isfrajini, mutekelim (skolastik, teolog), dijetar në usul fikh dhe në fikh. Dijetar i banorëve të Horasanit. Ka qenë i besueshëm dhe i fortë në Hadith. I vullnetshëm në adhurim dhe i përkushtuar në të. Bejhakiu ka përcjellë shumë Hadithe nga ai. Ai ka zhvilluar edhe disa dialoge me mutezilitë. Ka vdekur në vitin 418 h. në Nisabur. [Tabekat esh shafiije el kubra: 3/111].
[2] - Ai është Abdulxhebar ibën Ahmed ibën Abdulxhebar Ebu el Hasen el Hemdhani, shejhu i mutezilive në kohën e tij dhe autor i shumë shkrimeve. U emërua gjykatës në Er Rij dhe vdiq në vitin 415 h. [Historia e Bagdadit: 11/113].
[3] - Shkëputur nga libri “Historia e halifëve”, i Sujutit.
[4] - Ai është Ahmed ibën Muhamed ibën Ahmed el Isfrajini, shejh i shafiive në Bagdad. Ka qenë dijetar i fikhut dhe imam i madh. Ka vdekur në vitin 406 h. [Sijeru ealamu en nubela: 17/194, El bidajetu ue nihaje: 2/12].
[5] - “Historia e Bagdadit” (4/37, 38).
[6] - Marrë nga libri “Tabakat esh shafiije el kubra” e Ibën es Subki.
[7] - Nga libri “Tehdhib tarih Dimashk”
[8] - Marrë nga libri “Tabakat esh shafiije el kubra”.