Akidja e Selefëve
Ismail ibën Abdurrahman es-Sabuni

Besimi në Caktimin e Allahut


Besimi në Caktimin e Allahut dhe Përcaktimin e Tij, qoftë për të mirë apo për të keq.

 

Pasuesit e Sunetit dëshmojnë dhe besojnë se e mira dhe e keqja, dobia dhe dëmi janë me Caktimin e Allahut dhe Përcaktimin e Tij.

Ai caktim nuk kthehet, nuk mund t’i shpëtosh dhe nuk mund t’i shmangesh. Njeriun nuk e gjen veçse ajo që Zoti i tij ka shkruar për të. Nëse të gjithë njerëzit do të përpiqeshin që t’i bënin dikujt një të mirë të cilën nuk e ka shkruar Allahu për të, ata nuk do të mund t’a bënin atë dhe nëse do të përpiqeshin t’i bënin një të keqe të cilën Allahu nuk e ka caktuar për të, ata nuk do të mundeshin. 

Për këtë argumenton Hadithi i transmetuar nga Abdullah ibën Abasi (radijAll-llahu anhu), nga i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem). [1]

Argumenton gjithashtu Fjala e Allahut të Lartësuar:

“Nëse Allahu do të të sprovonte me ndonjë të keqe, atëherë s’ka kush që e heq atë përveç Atij dhe nëse do për ty ndonjë të mirë, s’ka kush që e kthen atë.” [Junus: 107].


E keqja nuk i ngjitet Allahut të Lartësuar.


Prej besimit dhe drejtimit të pasuesëve të Sunetit, bashkë me fjalën e tyre se e mira dhe e keqja janë nga Allahu dhe me përcaktimin e Tij, ata thonë se nuk i ngjitet Allahut të Lartësuar diçka që është e ulët apo e mangët në vetevete. (P.sh). Nuk thuhet: O krijuesi i majmunit dhe derrit! Edhe pse nuk ka krijesë që Allahu të mos jetë Krijuesi i saj.

Në këtë kuptim ka ardhur edhe fjala e të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem) në duanë e hapjes së namazit:

“I Madhëruar dhe i Lartësuar qofsh Ti! Ndërsa e keqja nuk të ngjitet Ty.”[2]

Kuptimi i këtij Hadithit është: E keqja nuk është prej gjërave që të mvishen Ty, qoftë e drejtpërdrejtë apo në lutje. Kështu që nuk lejohet që në lutje të thuhet: “O Krijuesi i së keqes! O Përcaktuesi i së keqes!” Edhe pse Ai është Krijuesi dhe Përcaktuesi i të dyja atyre.

Për këtë shkak, El Hidri (alejhi selam) e ka ngjitur dashjen e dëmtimit (të anijes) te vetja e tij, duke thënë:

“Ndërsa anija ka qenë e disa varfanjakëve të cilët punonin në det dhe unë doja t’a dëmtoja atë…” [El Kehf: 79].

Ndërsa kur përmendi të mirën, mirësinë dhe mëshirën, ai ia ngjiti dashjen e tyre Allahut të Madhëruar, duke thënë:

“Dhe Zoti yt deshi që të arrinin pjekurinë e tyre (të rriteshin) dhe pastaj t’a nxirrnin thesarin e tyre, nga Mëshira e Zotit tënd.” [El Kehf: 82].

Po ashtu thotë Allahu, kur tregon për Ibrahimin (alejhis selam) se ka thënë:

“Dhe kur unë sëmurem, Ai më shëron.” [Esh Shuara: 80].

Duke ia ngjitur kështu sëmundjen vetes së tij, kurse shërimin Zotit të tij, edhe pse që të dyja janë prej Zotit të tij.

Pohimi i Vullnetit dhe Dëshirës së Allahut të Lartësuar. 


Prej besimit të Ehli Sunetit dhe Xhematit është se Allahu i Madhëruar është i Vullnetshëm për të gjitha punët e njerëzve, të mira apo të këqia qofshin ato
[3] dhe askush nuk beson veçse me Dashjen e Tij. 

Nëse Allahu do të donte, Ai do t’i bënte të gjithë njerëzit një grup të vetëm (besimtarë) dhe nëse do të donte që të mos i thyhej urdhëri, Ai nuk do t’a kishte krijuar Iblisin [4] për shkak të të cilit mohuan mosbesimtarët. 

Edhe besimi i besimtarëve është sipas caktimit të Allahut dhe përcaktimit të Tij, me Vullnetin dhe Dëshirën e Tij. Ai i ka dashur të gjitha këto me Vullnetin e Tij dhe i ka përcaktuar ato.

 

Allahu i Lartësuar kënaqet për besimin e njerëzve dhe e urren mosbesimin e tyre.

 

Allahu kënaqet për besimin e njerëzve dhe bindjen e tyre ndaj Tij, dhe e urren mosbesimin e tyre. Allahu i Lartësuar thotë:

“Nëse ju mohoni Allahun, Allahu nuk ka ndonjë nevojë për ju edhe pse nuk e pëlqen për robërit e Tij mosbesimin. E nëse ju e falenderoni Atë, Ai e pëlqen këtë prej jush!”
[Ez Zumer: 7].

Nuk gjykohet për një person të veçantë se ai është prej banorëve të Xhenetit apo të Xhehenemit (përveç atyre për të cilët ka dëshmuar Allahu dhe i Dërguari i Tij)


Dijetarët e Hadithit besojnë dhe dëshmojnë se përfundimet dhe mbylljet e jetës së njerëzve janë enigmë dhe askush nuk e di se si do të mbyllen ato. Ata nuk gjykojnë për një person të veçantë, se ai do të jetë prej banorëve të Xhenetit apo për një tjetër se do të jetë prej banorëve të Zjarrit, sepse kjo është diçka e fshehtë dhe ata nuk e dinë se si do të vdesë dikush (besimtar apo jobesimtar). 

Për këtë shkak, ata thonë: “Ne jemi besimtarë InshaAllahu”, d.m.th. prej besimtarëve të cilëve do t’u mbyllet jeta në këtë botë me besim InshaAllah! 

Kush vdes musliman, e ardhmja e tij është Xheneti. 


Ata dëshmojnë për atë që vdes musliman, se e ardhmja e tij do të jetë Xheneti dhe se ata të cilëve u është shkruar përcaktimi nga Allahu, ata do të dënohen me Zjarr një farë kohe të caktuar për shkak të gjynaheve që kanë bërë dhe për të cilat nuk kanë kërkuar falje e pendim, por në fund ata do të kthehen në Xhenet dhe askush prej muslimanëve nuk do të mbetet në Zjarr, prej Mirësisë së Allahut dhe Dhurimit të Tij. 

Kush vdes mosbesimtar, do të jetë përgjithmonë në Zjarr.


Kush vdes duke qenë mosbesimtar –Allahu na ruajtë!-, kthimi i tij është në Zjarr prej të cilit nuk do të shpëtojë dhe qëndrimi i tij në të është i pafund!

Ne dëshmojmë se do të jetë në Xhenet, ai për të cilin i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem) e ka dëshmuar këtë 

Ata persona të veçantë prej sahabeve, për të cilët i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem) ka dëshmuar se do të jenë në Xhenet, për ta dëshmojnë edhe dijetarët e Hadithit si vërtetim të fjalës së të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ve selem) për atë që ka thënë dhe u ka premtuar atyre (sahabeve). Ai (sal-lAllahu alejhi ve selem) nuk ka dëshmuar për ta se do të jenë në Xhenet, vetëm pasi që e njohu këtë gjë dhe Allahu i Lartësuar i ka treguar të Dërguarit të Tij ç’të donte prej të fshehtës.

Këtë gjë e sqaron Fjala e Allahut të Lartësuar që thotë:

“Ai është i Dituri i të fshehtës të cilën nuk ia tregon askujt, përveç ndokujt që do prej të Dërguarëve të Tij.” [El Xhin: 26].


Të përgëzuarit me Xhenet prej njerëzve.


I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem) ka përgëzuar me Xhenet dhjetë prej shokëve të tij, të cilët janë: Ebu Bekri, Umeri, Uthmani, Aliu, Talha [5], ez Zubejr [6], Abdurrahman ibën Auf [7], Seadi [8], Seidi [9] dhe Ebu Ubejdetu ibën el Xherrah [10]. [11]

Po ashtu, i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem) ka thënë edhe për Thabit ibën Kajs ibën Shimas, se ai është prej banorëve të Xhenetit. Enes ibën Maliku thoshte për të: “Ai ecte në mesin tonë dhe ne thonim se ai është prej banorëve të Xhenetit.” [12]

Më të mirët në mesin e sahabeve janë katër halifet.


Dijetarët e Hadithit besojnë dhe dëshmojnë se më të mirët në mesin e shokëve të të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ve selem) janë: Ebu Bekri, pastaj Umeri, pastaj Uthmani, pastaj Aliu. Këta janë udhëheqësit e drejtë, qeverisjen e të cilëve e ka përmendur i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem) në fjalën e tij, të cilën e transmeton Seid ibën Xhumhan: Nga Sefijneh:

“Hilafeti (udhëheqja e drejtë) pas meje do të jetë për tridhjetë vjet.”[13]

Pastaj, mbas përfundimit të ditëve të tyre, u kthye gjendja në qeverisje të ashpra, ashtu siç njoftoi i Dërguari (sal-lAllahu alejhi ve selem).

 

Aprovimi i hilafetit të Ebu Bekër Es Sidikut (radijAll-llahu anhu)

 

Ata e aprovojnë hilafetin e Ebu Bekrit (radijAll-llahu anhu), pas vdekjes së të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ve selem), i cili u zgjodh nga sahabet me bashkimin njëzëri të tyre dhe duke thënë: “I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem) e zgjodhi atë prijës në fenë tonë (kur e vuri imam në namaz), kështu që ne e zgjodhëm prijës në dynjanë tonë.” [14]

Ndërsa Ebu Bekrit radijAll-llahu anhu i thanë: “Ty të parapriu i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem) dhe kush është ai që mund të të lërë pas!”, duke pasur për qëllim se ai (sal-lAllahu alejhi ve selem) e caktoi atë të printe faljen e tyre në ditët e sëmundjes së tij, dhe ne u falëm pas teje me urdhër të të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ve selem), atëherë kush është ai që mund të të lërë mbrapa, pas paraprirjes së të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ve selem)?

Gjithashtu, i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem) fliste për Ebu Bekrin kur ishte në mesin e sahabeve me fjalë të cilat i bënë ata që të kuptojnë se ai është i pari që meriton t’a zëvendësojë të Dërguarin (sal-lAllahu alejhi ve selem) pas vdekjes së tij.

Për këtë shkak, ata u bashkuan dhe i dhanë besën atij duke e zgjedhur si prijës të tyre dhe zëvendës të të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ve selem), gjë e cila u bëri atyre shumë dobi dhe i ngriti shumë lart, saqë Ebu Hurejra tha:

“Pasha Allahun përveç të Cilit nuk ka Zot tjetër! Nëse nuk do të ishte zgjedhur Ebu Bekri zëvendës i të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ve selem), Allahu nuk do të adhurohej më në tokë.”

Dhe kur i thanë atij: Çfarë thua o Ebu Hurejra!

Atëherë ai solli argumente me të cilat ua mbushi mendjen dhe i bëri që t’a besojnë dhe t’a pranojnë këtë gjë.

 

Aprovimi i hilafetit të Umer ibën El Hatabit (radijAll-llahu anhu)

 

Pas Ebu Bekrit, hilafeti i kaloi Umer ibën el Hatabit (radijAll-llahu anhu), sipas zgjedhjes së Ebu Bekrit para vdekjes dhe me bashkimin e sahabeve për të. Në ditët e tij, Allahu e ngriti lart Islamin dhe çoi në vend premtimin e Tij.

 

Aprovimi i hilafetit të Uthman ibën Afanit (radijAll-llahu anhu)

 

Pastaj udhëheqjen e mori Uthmani (radijAll-llahu anhu), me zgjedhjen e sahabëve të mëdhenj dhe të dijshëm dhe bashkimin e të gjithë sahabeve dhe pëlqimin e tyre.

 

Aprovimi i hilafetit të Ali ibën Ebi Talib (radijAll-llahu anhu)

 

Pastaj udhëheqja i kaloi Aliut (radijAll-llahu anhu), me besën e sahabeve të cilët panë që ai ishte i pari që kishte të drejtë t’a merrte udhëheqjen pas Uthmanit (radijAll-llahu anhu) dhe e bënë të ndaluar kundërshtimin dhe thyerjen e urdhërit të tij.

Këta ishin ata katër udhëheqësit e drejtë me të cilët Allahu i Madhëruar e ngriti lart Fenë e Tij, gjunjëzoi dhe mposhti mosbesimtarët, forcoi me ta Islamin, ngriti flamurin e së Vërtetës në ditët e tyre, ndriçoi dhe shndriti me dritën e tyre errësirën dhe çoi në vend Premtimin e Tij të mëparshëm të cilin e ka thënë në Fjalën e Tij:

“Allahu u ka premtuar atyre nga mesi juaj që besojnë dhe që punojnë mirësi e drejtësi, se Ai patjetër do t’u sigurojë atyre vazhdimësinë e fuqisë së tashme të udhëheqësve në tokë, ashtu siç ua siguroi edhe atyre që ishin para tyre dhe se Ai do t’u sigurojë fuqinë për të zbatuar e përmbushur Fenë e tyre, atë të cilën Ai e ka zgjedhur për ta (Islamin). Dhe padyshim që Ai do t’u japë atyre në shkëmbim siguri e ruajtje pas frikës së tyre…”
[En Nur: 55].

Si dhe në Fjalën e Tij:

“Muhamedi është i Dërguari i Allahut dhe ata që janë me të, janë të ashpër ndaj mohuesve…” [El Fet’h: 29].

Kështu që, kush i do ata, i merr për miq, bën lutje për ta, ruan të drejtat e tyre dhe e njeh vlerën dhe vendin e tyre, ai është me të fituarit. Ndërsa në të kundërt, kush i urren ata, i shan ata apo i mvesh gjëra të tilla siç i mveshin rafiditë (refuzuesit) [15] dhe havarixhët (Allahu i mallkoftë!), ai është nga të shkatërruarit e të humburit.

I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem) ka thënë:

“Mos i shani shokët e mi! Ai që i shan ata, mbi të qoftë mallkimi i Allahut!” [16]

“Ai që i do ata, i ka dashur nga dashuria që ka për mua dhe ai që i urren ata, i urren nga urrejtja që ka për mua. Kush i ofendon ata, më ka ofenduar mua dhe kush i shan ata, mbi të qoftë mallkimi i Allahut!” [17]

 

Falja pas prijësit musliman edhe nëse është vepërkeq.

 

Dijetarët e Hadithit e shohin si obligim faljen e të xhumasë, të dy barjameve dhe të namazeve të tjera, pas çdo imami musliman, qoftë ai vepërmirë apo vepërkeq.

 

Xhihadi nën udhëheqjen e prijësave të muslimanëve.

 

Ata shohin të obligueshëm gjithashtu, edhe Xhihadin dhe luftimin e armiqëve të muslimanëve nën udhëheqjen e prijësave të tyre, qofshin ata zullumqarë e vepërkëqinj.

 

Lutja për prijësat dhe mosngritja krye ndaj tyre.

 

Ata e shohin obligim lutjen (duanë) për prijësat që të përmirësohen, të gjykojnë drejtë dhe të rregullojnë në tokë.

Dhe nuk e lejojnë daljen me shpatë kundra tyre (kryengritjen) edhe nëse shohin tek ata devijim nga e drejta në padrejtësi e zullum.

Ata shohin gjithashtu luftimin e grupit kryengritës derisa të kthehet në bindjen ndaj prijësit të muslimanëve.

 

Përmbajtja dhe shmangia e asaj që ndodhi ndërmjet sahabeve.

 

Ata e shohin obligim përmbajtjen dhe shmangien prej grindjes që ndodhi ndërmjet shokëve të të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem) dhe pastrimin e gjuhës nga përmendja e ndonjë të mete apo mangësie të tyre.

Ata e shohin obligim kërkimin e mëshirës për të gjithë ata dhe dashurinë për të gjithë ata.

 

Nderimi i grave të Pejgamberit (sal-lAllahu alejhi ve selem) dhe konsiderimi i tyre nëna të besimtarëve.

 

Po ashtu, ata e shohin të obligueshëm nderimin e grave të Pejgamberit (radijAll-llahu anhu), lutjen për to, njohjen e vendit të tyre dhe pohimin se ato janë nëna të besimtarëve.

 

Shpërblimi me Xhenet nuk është meritë e besimtarëve nga veprat e tyre.

 

Ata besojnë dhe dëshmojnë se askush nuk e meriton Xhenetin edhe nëse veprat e tij janë të mira dhe rruga që ka ndjekur në jetë ka qenë e kënaqshme, vetëm nëse Allahu hedh Mirësinë e Tij mbi të, duke e futur atë në Xhenet me Mirësinë dhe Bujarinë e Tij. Kjo sepse ajo vepër e mirë që ai ka kryer nuk i është bërë e mundur vetëm se me lehtësimin që i ka bërë Allahu i Madhëruar atij dhe nëse nuk do t’ia kishte lehtësuar Allahu dhe nëse nuk do t’a kishte udhëzuar për atë vepër, ai kurrë nuk do të ishte udhëzuar.

Allahu i Lartësuar thotë:

“…Dhe po të mos kishte qenë Mirësia e Allahut dhe Mëshira e Tij mbi ju, asnjë prej jush nuk do të kishte qenë kurrë ndonjëherë i pastër prej gjynaheve, por Allahu pastron (udhëzon në Islam) atë që Ai do dhe Allahu është Gjithëdëgjues, i Gjithëditur.” [En Nur: 21].

Çdo krijesë e ka fundin (vdekjen) të përcaktuar.

Dijetarët e Hadithit besojnë dhe dëshmojnë se Allahu i Madhëruar ia ka caktuar vdekjen dhe fundin çdo krijese (në kohë dhe vend, të cilin nuk e di askush përveç Allahut dhe që nuk shtyhet e as nuk tërhiqet para kohës së vet) dhe askush nuk vdes vetëm se me Lejen e Allahut dhe për një kohë të përcaktuar. Kur të mbarojë koha e dikujt, nuk ngel veçse vdekja prej të cilës nuk ka shpëtim.

Allahu i Lartësuar thotë:

“Çdo popullsi ka një kohë të përcaktuar dhe kur vjen ky çast, ata as nuk mund ta vonojnë atë qoftë edhe për një çast dhe as nuk mund ta përparojnë atë.” [El A’raf: 34].

“Dhe askush nuk mund të vdesë vetëm se me Lejen e Allahut dhe për një kohë të përcaktuar.” [Al Imran: 145].

Ata besojnë gjithashtu se ai që vdes apo vritet, kjo do të thotë që i ka mbaruar afati i përcaktuar i tij.

Allahu i Lartësuar thotë:

“Edhe sikur të ishit në shtëpitë tuaja, ata për të cilët ishte përcaktuar vdekja, padyshim që do të ishin drejtuar vetë te vendi i përcaktuar për vdekjen e tyre!” [Al Imran: 154].

“Kudo që ju të jeni, vdekja do t’iu gjejë, edhe sikur të jeni në kështjella të fortifikuara!”
[En Nisa: 78].


Cytja e shejtanëve dhe ndikimi i tyre.

 

Ata besojnë se Allahu i Lartësuar i ka krijuar shejtanët dhe ata i bëjnë cytje njerëzve me qëllim që t’i nxjerrin nga rruga e drejta, duke u qëndruar në pritë atyre.

Allahu i Lartësuar thotë:

“Dhe vërtet që shejtanët i frymëzojnë miqtë e tyre nga mesi i njerëzve që t’ju kundërshtojnë juve dhe po t’u bindeni atyre, atëherë padyshim që do të ishit idhujtarë!”
[El En’am: 121].

Allahu i Lartësuar u lë shejtanëve pushtet mbi kë të dojë dhe ruan prej kurtheve e sherreve të tyre atë që Ai do. 

Allahu i Lartësuar thotë:

“Dhe shqetësoji (të nxituarit e mendjelehtit) vazhdimisht, ata që të mundesh nga mesi i tyre (pasardhësve të Ademit) me zërin tënd (duke u pëshpëritur ose duke u bërë vesvese me këngë, muzikë etj.). Sulmoji ata me kalorësinë e këmbësorinë tënde (me të gjitha mjetet e mënyrat)! Ndaji me ta pasuritë e fëmijët (me rrugë të palejuara) dhe bëju atyre edhe premtime. Por shejtani nuk u premton atyre asgjë, veçse mashtrim.

Sa për robët e Mi (besimtarët e Mi të vërtetë), ti nuk ke asnjë fuqi mbi ta. Dhe më se i Mjaftueshëm është Zoti yt si Rregullues e Mbikqyrës.” [El Isra: 64-65].

“Vërtet që ai nuk ka aspak fuqi mbi ata që besojnë e mbështeten vetëm te Zoti i tyre.

Fuqia e tij (shejtanit) është vetëm mbi ata të cilët i binden dhe e ndjekin atë (shejtanin) dhe mbi ata të cilët i vënë shok Allahut!” [En Nahl: 99-100].

 

Magjia nuk bën dëm veçse me Lejen e Allahut.

 

Pasuesit e Sunetit dëshmojnë se në tokë ekziston magjia dhe magjistarët, por ata nuk i bëjnë ndokujt keq veçse me Lejen e Allahut:

“…Dhe ata nuk munden të dëmtojnë askënd me të (magjinë) veçse me Lejen e Allahut!”
[El Bekare: 102].

 

Gjykimi për magjistarin.


Ai që e mëson magjinë dhe e praktikon atë, duke besuar se ajo bën dëm apo dobi pa Lejen e Allahut, ai ka dalë nga feja dhe është kafir.

Nëse ai pyetet dhe në përshkrimin e tij del se ajo që bën është kufër, atëherë afatizohet për t’u penduar dhe nëse nuk pendohet, atëherë i pritet koka. 

Por nëse pasi pyetet, ai përshkruan diçka që nuk është kufër, apo se flet me gjëra që as ai vetë nuk i kupton, atëherë pengohet nga kjo gjë dhe nëse e kryen përsëri, atëherë dënohet me kamzhik apo burgim.

Nëse thotë se magjia nuk është haram dhe unë besoj se ajo është e lejuar, atëherë bëhet e detyrueshme vrasja e tij, sepse ai ka bërë të lejuar diçka për të cilën janë bashkuar të gjithë muslimanët se ajo është e ndaluar.

 

Çdo pije dehëse është haram.

 

Dijetarët e Hadithit e konsiderojnë të ndaluar çdo pije që të deh, qoftë ajo e marrë nga rrushi, apo rrushi i thatë, hurma, mjalti, misri, apo çdo lloj bime tjetër.

Ata e konsiderojnë të ndaluar pijen dehëse qoftë ajo shumë apo pak, e konsiderojnë atë të papastër dhe e dënojnë me shkopinj pirësin e saj.

 

Përkujdesja për kryerjen e faljeve të obligueshme.

 

Ata e shohin të obligueshme nxitimin për kryerjen e faljeve dhe se falja në fillim të kohës së caktuar është më mirë se në mbarim të saj.

Ata e konsiderojnë të obligueshme leximin e sures el Fatiha pas imamit në namaz.[18]

Ata urdhërojnë që të plotësohet rukuja (përulja) dhe sexhdeja. Ata e konsiderojnë plotësimin e rukusë dhe të sexhdes me qetësi, ngritjen nga rukuja dhe qëndrimin drejt pas saj me qetësi, ngritjen prej sexhdes dhe qëndrimin mes dy sexhdeve me qetësi, të gjitha këto i konsiderojnë prej shtyllave (rukneve) të namazit pa të cilat ai nuk mund të jetë i saktë.

 

Këshillimi për të vepruar mirë.


Ata këshillojnë njëri-tjetrin për falje natën, pasi të kenë fjetur një pjesë të saj, për ruajtjen e lidhjeve farefisnore, për përhapjen e selamit (përshëndetjes), të ushqyerit e të varfërit, mëshirimin e fukarenjve e jetimëve, preokupimin për çështjet e muslimanëve, për mbajtjen e të mesmes në të ngrënë e të pirë, në martesë e në veshmbathje, për bamirësi, për urdhërim për të mira dhe ndalim nga e keqja, për shpejtimin në çdo lloj pune të mirë dhe ruajtjen prej përfundimit të keq të lakmisë.

Ata këshillojnë njëri-tjetrin për të Vërtetën dhe për durim.

Dashuria dhe urrejtja për çështjen e Fesë.


Dijetarët e Hadithit e duan njëri-tjetrin për shkak të Fesë dhe urrejnë po për shkak të saj. Ata i ruhen polemikës në lidhje me Allahun (Cilësitë e Tij) dhe mënjanohen nga ndjekësit e bidateve e humbjeve, si dhe i urrejnë ndjekësit e dëshirave dhe injorancës. 

Ata ecin sipas shembullit të të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ve selem) dhe rrugës së shokëve të tij, të cilët janë si yjet dhe me cilindo që të shëmbëllohesh prej tyre, je i drejtëudhëzuar, ashtu siç thoshte i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem) për ta. [19]

Ata marrin për shembull të tyre selefët (të parët) e mirë të këtij populli, prej prijësave të Fesë dhe dijetarëve të muslimanëve, si dhe kapen për atë me të cilën ishin kapur prej Fesë së fortë dhe të Vërtetës së qartë. 


__________________________________________


[1]
- Është përcjellë nga Ibën Abasi (radijAll-llahu anhu), se ka thënë: Një ditë isha pas të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem) dhe ai më: “O djalosh! Unë do të të mësoj ty disa fjalë. Ruaje Allahun, që Ai të të ruajë ty. Ruaje Allahun dhe ke për t’a gjetur në anën tënde. Kur të kërkosh diçka, kërkoje prej Allahut dhe kur të kërkosh ndihmë, kërkoje prej Allahut. Dije se, sikur i gjithë populli të bashkohej për të të sjellë ty një të mirë, nuk do të munden të bëjnë veçse atë që Allahu e ka shkruar që më parë për ty, e nëse do të bashkoheshin për të të shkaktuar një dëm, nuk do të mundnin të shkaktonin veçse atë që Allahu ka shkruar për ty. Lapsat janë ngritur dhe fletët janë tharë.” [Këtë Hadith e ka transmetuar Tirmidhiu, i cili ka thënë se ai është Hasen Sahih, dhe Ahmedi].

[2]
- Kjo pjesë e Hadithit të duasë së hapjes së namazit ndodhet te Muslimi.

[3]
- Me këtë vullnet është për qëllim vullneti i krijimit të çdo gjëje dhe të përcaktimit të tyre sipas Dëshirës së Allahut të Madhëruar dhe nuk është për qëllim vullneti i ligjeve të Fesë e të sheriatit i cili lidhet me dashjen dhe pëlqimin e Allahut.

[4]
- Imam Ahmedi, në librin “Es Suneh”, transmeton nga Umer ibën Abdulaziz (Rahimullah), se ai ka thënë: “Nëse Allahu do të donte që të mos kundërshtohej, Ai nuk do t’a kishte krijuar Iblisin”. Pastaj lexoi Fjalën e Allahut: “Ju nuk mundeni të largoni besimtarët nga Rruga e Allahut, përveç atyre që janë përcaktuar të digjen në Xhehenem!” [Es Safat: 62-63].

[5]
- Ai është Talha ibën Ubejdilah ibën Uthman ibën Amër el Kurashi et Tejmij, një nga gjashtë anëtarët e marrëveshjes për paqe ndërmjet muslimanëve dhe idhujtarëve të Mekës dhe një nga pesë të cilët u bënë musliman për shkak të Ebu Bekrit. Prezentoi në luftën e Uhudit dhe tregoi trimëri. U godit me një shigjetë në ditën e luftës së Xhemelit dhe vdiq në vitin 36 h. në moshën 64 vjeç.

[6]
- Ai është ez Zubejr ibën el Auam ibën Huejlid ibën Esed el Kurashi, Ebu Abdullahi, nga të afërmit e të Dërguarit të Allahut dhe djali i hallës së tij. Një nga gjashtë anëtarët e shuras (konsultës). Ka hyrë në Islam që në moshë të vogël dhe ka marrë pjesë në të dyja shpërnguljet (në Habeshe dhe në Medime). Është vrarë në luftën e Xhemelit në vitin 36 h. dhe është varrosur në Basra.

[7]
- Ai është Abdurrahman ibën Auf ibën Abdu Auf ibën Abdul Harith el Kurashi ez Zuhri, Ebu Muhamed. Një nga gjashtë anëtarët e konsultës. Ka hyrë herët në Islam, para se i Dërguari (sal-lAllahu alejhi ve selem) të hynte në shtëpinë e Erkamit. Ka marrë pjesë në të dyja shpërnguljet dhe ka marrë pjesë në luftën e Bedrit e të tjerat pas saj. Vdiq në vitin 32 h. në moshën 72 vjeç.

[8]
- Ai është Sead ibën Malik ibën Uhejb el Kurashi, ez Zuhri, Ebu Is’hak ibën Ebi Uekas. Një nga gjashtë anëtarët e konsultës. Ka transmetuar shumë Hadithe nga i Dërguari (sal-lAllahu alejhi ve selem). Ka qenë një prej kalorësve më të mirë dhe i pari që ka gjuajtur me shigjetë në Rrugë të Allahut. Ka qenë koka që hapi Irakun dhe ishte i njohur për pranimin e duasë që ai bënte. Ka vdekur në el Akik, në vitin 55 h. dhe u transportua në Medineh. Ai ka qenë i fundit që ndërroi jetë nga dhjetë të përgëzuarit me Xhenet.

[9]
- Ai është Seid ibën Zejd ibën Amër ibën Nufejl el Adavi. Një nga të parët e Islamit dhe para shtëpisë së Erkamit. Ka bërë shpërnguljen në Medine dhe ka marrë pjesë në luftën e Uhudit e në të tjerat pas saj. Nuk ka qenë në Medine në kohën e luftës së Bedrit dhe nuk ka marrë pjesë në të. Ka vdekur në el Akik në vitin 50 h. dhe thuhet pas këtij viti.

[10]
- Ai është Amir ibën Abdullah ibën El Xherrah ibën Hilal el Kurashi el Fehri, i njohur me kunjën e tij dhe me emrin e gjyshit të tij. Një prej të parëve në Islam. Ka bërë dy shpërnguljet dhe ka marrë pjesë në luftën e Bedrit e të tjerat pas saj. Ky është ai që hoqi dy ganxhat nga fytyra e të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ve selem) dhe që i ranë dy dhëmbë. Ka vdekur në vitin 18 h. në moshën 58 vjeç.

[11]
- Transmeton Tirmidhiu në El Xhami’, nga Abdurrahman ibën Auf (radijAll-llahu anhu) se ka thënë: I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem) ka thënë:

“Ebu Bekri do të hyjë në Xhenet. Umeri do të hyjë në Xhenet. Uthmani do të hyjë në Xhenet. Aliu do të hyjë në Xhenet. Talha do të hyjë në Xhenet. Ez Zubejr do të hyjë në Xhenet. Abdurrahman ibën Aufi do të hyjë në Xhenet. Seadi do të hyjë në Xhenet. Seidi do të hyjë në Xhenet dhe Ebu Ubejdeh ibën El-Xherrah do të hyjë në Xhenet.”

[12]
- E transmeton Muslimi.

[13]
- E transmeton Tirmidhiu, Ebu Daudi dhe Ahmedi.

[14]
- Kjo fjalë e sahabeve është në librin “Fikhu i madh” i Ebu Hanifes.

[15]
- Rafiditë apo refuzuesit janë një prej 72 grupeve të humbura dhe janë quajtur me këtë emër për shkak të refuzimit të tyre udhëheqjen e Ebu Bekrit dhe të Umerit (radijAll-llahu anhu). Dhe thuhet: për shkak të refuzimit të tyre Zejd ibën Ali (radijAll-llahu anhu), duke e sharë për dhënien besës Ebu Bekrit dhe Umerit (radijAll-llahu anhu) dhe për pranimin e tyre si prijësa të besimtarëve. Zejdi ka thënë: Më refuzuan mua dhe kështu u quajtën rafidi. Ata u quajtën gjithashtu “Shij’ah” atëherë kur thanë: Ne jemi ithtarë të Aliut (radijAll-llahu anhu), por disa prej tyre thanë të pavërtetën për të dhe e tepruan në lavdërimin e tij duke thënë se ai është zot, apo i dërguar nga Zoti. Disa prej tyre i vrau vetë Aliu (radijAll-llahu anhu) në kohën e sundimit të tij dhe disa të tjerë i dogji. Disa prej tyre mohojnë edhe Ditën e Llogarisë. Ata besojnë se Muhamedi (sal-lAllahu alejhi ve selem) e ka lënë testament të shkruar se Aliu do të jetë zëvendës i tij pas vdekjes së tij dhe se çështja e udhëheqjes nuk mund të jetë vetëm se me shpallje nga Allahu. Prijësit sipas atyre, janë të pagabueshëm dhe larg gjynaheve të mëdha e të vogla dhe se Ebu Bekri dhe Umeri janë të mallkuar. etj. Marrë nga libri “El Burhan” i Es Sekseki dhe “Mekalat El Islamijine”.

[16]
- Fjalia e parë e Hadithit transmetohet në dy sahihat e Buhariut dhe të Muslimit, si dhe në libra të tjerë. Ndërsa pjesën e dytë e transmeton Ebu Asim në librin “Es Suneh” dhe Taberani në “El Eusat” me shprehje të përafërt.

[17]
- E transmeton Tirmidhiu dhe imam Ahmedi.

[18]
- Obligueshmëria e leximit të Fatihasë pas imamit në të gjitha rastet është fjala e imam Shafiut në medh’hebin e ri si dhe e një grupi bashkë me të. Ndërsa fjala e shumicës së dijetarëve është se leximi i saj është i obligueshëm në namazet pa zë dhe në rastet kur imami qëndron dhe nuk lexon, kurse të lexuarit e Fatihasë në kohën kur imami lexon në namazet me zë, kjo është e papëlqyer (mekruh).

[19]
- Ky Hadith që ka përmendur autori është i dobët dhe nuk vlen për t’u argumentuar me të.
 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free